Mbrëmjen e së martës në veri të Mitrovicës, disa automjeteve u janë vendosur stikera me mbishkrimin “SRB-KM”, e që nuk dihet se nga kush është bërë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Prokuroria është njoftuar për rastin por që ende nuk ka ndonjë të dhënë.
Preteni tha se prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pritet të shikojnë se si do të procedojnë tutje për gjetjen e personave që i kanë vendosur stikerat në vetura.
“Po është njoftu prokurori për rastin. Disa persona janë ankuar se ju kanë vendosur stikera në veturat e tyre, por për momentin nuk ka asgjë, pasi pritet që prokuroria në bashkëpunim me policinë të shikojnë çka me vepru tutje”, ka thënë Preteni.
Ndërkaq, edhe drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, për Telegrafin ka thënë se ende nuk dihet se kush mund ta ketë bërë këtë.
“Për rastin është raportuar në polici. Policia është në vendin e ngjarjes. Ende nuk kemi ndonjë raport. Pasi të kthehen Policia kontaktojmë me prokurorin dhe shohim tutje”, ka thënë Hoti për Telegrafin.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 qershor ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. /Telegrafi/