Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk ndalet e as nuk mbyllet.Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve në Samitin “Open Ballkan” në Ohër, ai tha se kushdo që i kundërvihet kësaj nisme, është i destinuar të zhgënjehet.
“Kush heziton, është i destinuar të humbasë kohë të çmuar për të përfituar nga kjo nismë. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi këtu, sepse asnjë nga vendet tonë nuk do të ikë askund. Fëmijët tanë meritojnë që të kenë një hapësirë ku bekimi që i ka dhënë Zoti kësaj zone, të jetë baza e mirëqenies së tyre e ngritur mbi paqen dhe prosperitetin”, tha Rama gjatë konferencës.Shefi i qeverisë shqiptare, ndër të tjera tha se “Ballkani i Hapur” lindi si një ide e tre njerëzve.
“Sot nuk është më ide e tre njerëzve dhe s’është më një punë e tre njerëzve, sot është e të gjithë njerëzve dhe do të jetë gjithmonë e më shumë i më shumë njerëzve sepse mjafton të vish me makinë në Ohër dhe të kalosh doganën për të parë ndryshimin ku në një tabelë të thjeshtë shkruan ‘korridori i gjelbër’ i Ballkanit të Hapur që për të gjithë ata të cilët transportojnë produktet e punës dhe të djersës së tyre, është një çlirim i madh, nga muret e rrëzuara dhe falë rrugëve të hapura për të lëvizur më shpejt dhe për të mos humbur kohë për të çuar një prodhim apo një mall nga një pikë në një pikë tjetër”, tha Rama.