Pas disa orësh, policia ka mundur të shpëtojë tre turistë çekë, të cilët kanë qenë të bllokuar në zonë e Thethit dhe Valbonës.
Turistët ishin bllokuar gjatë eksplorimit që po kryenin në një zonë tepër të thepisur. Ishin vetë turistët të cilët kanë lajmëruar policinë përmes telefonit, ku kanë ndarë dhe vendodhjen e tyre.
Efektivët janë nisur drejt vendit të ngjarjes në rrugë tokësore, për shkak se helikopteri i urgjencës e kishte të pamundur të ulej për shkak se turistët ndodheshin në një zonë mjaft të thepisur.
Nuk është hera e parë që turistë nga vende te ndryshme të botës bllokohen në zonat turistike të Jugut dhe Veriut gjatë eksplorimeve të tyre.
Një incident i ngjashëm pranë qafës së Valbonës është raportuar vetëm pak javë më parë, ku 4 alpinistë u bllokuan ndërsa njëri prej tyre pati dëmtim në këmbë.
Katër alpinistët u evakuuan me helikopter, ndërsa i dëmtuari u shoqërua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në pjesën më të madhe të rasteve, ata nuk pranojnë të kenë një guidë si udhërrëfyes, duke marrë përsipër rrezikun e bllokimit në zonat e thepisura dhe malore.