Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Ukraina duhet t’i pranojë shpejt kushtet e Moskës, ose duhet të përgatitet për të më te keqën.
Putin akuzoi Perëndimin për, siç tha, nxitje të armiqësive dhe shtoi se “Perëndimi dëshiron të luftojë deri në ukrainasin e fundit”.
“Është tragjedi për popullin e Ukrainës, por duket se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, tha ai në një fjalim para disa anëtarëve të Dumës ruse.
Putin shtoi se Rusia është e gatshme të ulet për bisedime, për t’u dhënë fund luftimeve.
“Ata që refuzojnë ta bëjnë këtë, duhet ta dinë se sa më shumë që zgjasin luftimet, aq më e vështirë do të jetë për ta që të bëjnë marrëveshje me ne”, tha Putin.
“Po dëgjojmë se ata duan të na mposhtin në fushëbetejë. Lërini të provojnë”, tha ai.
Kremlini ka kërkuar më herët që Kievi të njohë sovranitetin e Rusisë mbi Gadishullin e Krimesë, të cilin e ka aneksuar në vitin 2014, si dhe të njohë pavarësinë e rajoneve separatiste – të mbështetura nga Moska – në Ukrainën lindore.
Kievi i ka hedhur poshtë këto kërkesa.
Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt.
Pas dështimit për të marrë kontrollin e Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha në verilindje të Ukrainës, ushtria ruse ka zhvendosur fokusin e saj në rajonin lindor të Donbasit.
Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim. /REL