Juventusi pritet ta kompletojë transferimin e Paul Pogbas dhe të Angel Di Marias këtë javë.
Sipas “Goal.com”, dyshja do të zbarkojë në Torino në ditët në vazhdim dhe më pas do ta kompletojë transferimin në “Allianz Stadium”, përcjell “Gazeta Express”.
“Bianconeri” do t’i mirëpresin sulmuesin e krahut argjentinas dhe mesfushorin kreativ francez, të cilët do t’i marrin si lojtarë të lirë pasi atyre u kanë skaduar kontratat me klubet përkatëse, Paris Saint-Germain respektivisht Manchester United.
Për Pogban në fakt bëhet fjalë për një rikthim në klubin që e kishte lënë në vitin 2016, kur ishte rikthyer në “Old Trafford”.
Kampioni i botës me Francën e kishte arritur kulmin e karrierës në Torino dhe do të mundohet që aty ta rikthejë formën e dikurshme.
Kurse, Di Maria do të mundohet të shijojë më shumë minuta se që i kishte kaluar në Paris dhe ta ndihmojë “Zonjën e Vjetër” të rikthehet në majat e futbollit italian, por edhe të atij evropian.