Reshje shiu dhe erëra të forta ka patur sot në gjithë vendin.
Si pasojë e këtij moti të ligë, në Ferizaj është rrëzuar një lis, ku si pasojë është dëmtuar një veturë.
Si pasojë e erërave të forta lisi është rrëzuar pikërisht mbi një veturë të parkuar në afërsi të spitalit të Ferizajt.
Basri Shabani nga Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt tha se nga ky rast nuk ka ndonjë person të lënduar, përpos dëmeve materiale të një veture.
“Në afërsi të spitalit të Ferizajt është rrëzuar një lis, i cili ka rënë mbi një veturë. Pos dëmit material të veturës, nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Shabani.
Ndryshe nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës është paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të mbretërojë mot i ndryshueshëm, kryesisht me reshje shiu dhe era të fuqishme.
Si pasojë e këtij moti një lis është rrëzuar edhe në magjistralen Gjilan-Viti.
Nuk raportohet për të lënduar nga ky rast, por se dëme janë shkaktuar në këtë anë të rrugës.
Dy ditë më parë një person ka humbur jetën nga rrëzimi i një lisi në qendër të Prishtinës.
30 vjeçari ka vdekur, ndërsa një femër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe e njëjta mbrëmë është dërguar jashtë vendit për trajtim.