Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) për vitin 2021, është votuar me shumicë votash nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online.
Kritika për mënyrën sesi është harxhuar buxheti i AIP-it, pati deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Ne e kemi pa raportin me shkrim po unë personalisht kemi kërkuar që ju të prezantoni në raportim dhe të ketë një respekt më të madh të institucioneve. Ne dëshirojmë që të ketë një raportim të drejtë dhe transparent edhe atyre që zgjedhën nga kuvendi. Në raport thuhet se në mungesë të buxhetit te pagat, keni 34 pozita ku 10 janë ta paklasifikuara. Për 7 pozita tjera nuk janë shtuar pozita dhe as buxhet. Pse nuk janë plotësuar vendet e punës pse mjetet i keni kursye apo nuk i keni realizuar”
Përgjigje mori nga komisionerja në AIP, Krenare Sogojeva-Dërmaku. Tha se në kuadër të këtyre shpenzimeve, janë bërë edhe trajnimi i punëtorëve për qasje në dokumente publike.
“Sa i përket raportit të vitit 2021, emërimi ka ardh në fund të qershorit të 2021, buxheti është bërë në janar të 2021, dhe me ardhjen time ne i kemi nxjerr objektivat e reja. Sa u përket çështjes se shpenzimit të buxhetit, AIP kur e kam marr mandatin nuk ka pas as rregullore të brendshme, kam kërkuar edhe një inspektim nga këshilli i pavarur mbikëqyrës, në mënyrë që kur ta bëjë risistematizimin të mos jem në kundërshtim me ligjin. Sa i përket trajnimeve të stafit, veç ka filluar për vitin 2022. Ndërsa për 2021 kemi pas nevojë për trajnimin e punëtorëve për qasje në dokumente publike, përveç kësaj kemi mbajt trajnime”, tha ajo.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në të njëjtën mbledhje e kanë miratuar edhe raportin vjetor financiar të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili ngjalli debat ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.