Kompania “NewCo Ferronikeli” si një prej prodhuesve më të mëdhenj të Ferronikelit në Evropë tashmë i është shitur kompanisë turke “YILDIRIM”.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media nga kompania “NewCo Ferronikeli”.
“Grupi YILDIRIM, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të Ferronikelit në Evropë. Të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin nga Grupi BALFIN. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë për një tranzicion të qetë”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit YILDIRIM ka një interesim që të angazhohet në “NewCo Ferronikeli”, pasi ka një plan konkret për të rritur aktivitetin në fushën e metaleve dhe minierave.
“YILDIRIM ka një interesim të veçantë që të angazhohet në “NewCo Ferronikeli”, meqë ka edhe një plan konkret biznesi për të rritur aktivitetin në fushën e metaleve dhe minierave, për ndërtimin e një prej kompanive më të mira në Evropë për prodhimin e Nikelit. Plani i propozuar i biznesit do ta shndërrojë “NewCo Ferronikel-in” në njërën prej fabrikave më të vlefshme të Grupit YILDIRIM”, bëhet e ditur në njoftim.
Dega e Grupit Yildirim, Yildamin Holding, sipas njoftimit, zgjeroi gamën e prodhimit të ferroaliazheve.
“Me këtë rast, dega e Grupit YILDIRIM, YILDAMIN Holding zgjeron gamën e prodhimit të ferroaliazheve. Kompania, tashmë, renditet e katërta në botë në biznesin e Kromit, e dyta në botë për prodhimin e Ferrokromit me Karbon të Lartë (HC FeCR) dhe është lidere në fushën e prodhimit të Kromit me Kualitet të Lartë dhe sektorin minerar”, theksohet në komunikatë.
Me selinë qendrore në Stamboll të Turqisë, Grupi YILDIRIM është një prej grupeve të angazhuara në sektorët e industrisë dhe infrastrukturës, që ka rritjen më të shpejtë në nivel global.
Grupi industrial botëror ka një prodhimtari të diversifikuar mirë, duke qenë aktiv në nëntë sektorë globalisht: kryesisht në sektorin e metaleve dhe minierave, operimin dhe menaxhimin e porteve, fertlizuesve dhe kemikaleve, energjisë, transportit dhe logjistikës, investimeve financiare dhe pronave private.
YILDIRIM operon në 54 shtete në 5 kontinente, duke punësuar më shumë se 18,000 njerëz anembanë botës.
Ndërkaq “NewCo Ferronikeli’ është themeluar në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore, me një kompleks që përfshin fabrikën për prodhimin e Nikelit në dy linja si dhe rezervat e pasura me minerare nën hapësirën përreth.