SHBA-ja e sheh si iniciativë të mirë Ballkanin e Hapur, por i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar iu foli nismëtarëve të kësaj iniciative se çfarë duhet të bëjnë që të ketë sukses.
Escobar tha se mbështetja e SHBA-së për Ballkanin e Hapur mbështetet në disa pika. Ai tha se kjo iniciativë duhet t’i përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë, në mënyrë që të jetë iniciativë e suksesshme. Amerika kërkon që ajo të mbetet vetëm nismë ekonomike, raporton Gazeta Express.
“Besojmë se nëse kjo iniciativë do të ketë sukses, duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për një integrim ekonomik duhet t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë dhe këtu dëshiroj që të jap disa propozime”, tha Escobar.
“Së pari, duhet të punojmë jo vetëm në një bashkëpunim regjional ekonomik, por edhe në një bashkëpunim në integrimin e strukturave europiane”, tha Escobar, duke theksuar se mbështesin çdo iniciativë ekonomike që e afrojnë regjionin dhe promovojnë paqe e stabilitet.
Escobar ua dha disa propozime kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski lidhur me Ballkanin e Hapur. Ai tha se kjo iniciativë është “e shkëlqyeshme, mahnitëse”, ndërsa tha se i ka disa propozime që ajo “të funksionojë në të ardhmen.
Propozimet e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për nismën e Ballkanit të Hapur:
Kjo është një iniciativë e shkëlqyeshme, mahnitëse, e cila vjen në një moment shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që do të jetë më e qartë se si duhet të funksionojë në të ardhmen, prandaj kam disa propozime për miqtë tanë.
E para, sikur edhe që e përmenda, ka shumë mundësi, ka shumë iniciativa për integrime… prandaj ju jap kurajo liderëve të Ballkanit Perëndimor që të kërkojnë mënyra se si të bashkëpunojnë me iniciativa tjera të cilat veç më ekzistojnë në rajon. Me këtë ju do të kuptoni se nuk do të duplifikohen punët, por do të ketë një integrim më të mirë.
E dyta, njëashtu duhet të keni edhe një plan për zhvillim institucional. Përparësia e Ballkanit Perëndimor është fuqia ekonomike, rritja e konomike, mirëpo kemi edhe përparësitë tjera konkurrente. Për shembull, krijimi i kushteve më të volitshme për investitorët, pastaj përkrahje më e madhe për e-qeveritë. Por më e rëndësishmja është kirjimi i mundësisë dhe zhvillimit institucional për institucionet të cilat duhet të zvogëlojnë, mundohen t’iu shmangen pagesës së tatimeve. Duhet një ekonomi që do t’iu ndihmojë investitorëve të cilët dëshirojnë të punojnë lgijërisht.
Gjithashtu, i përkrahim edhe liderët e kësaj iniciative të kyçen më tepër dhe të kenë më tepër anë interesi, të bashkëpunojnë që të jenë të gjithë të interesuar për këtë treg të përbashkët. Përmes CEFTA-s apo Ballkanit të Hapur.
Më në fund, ju mbështes që kjo iniciativë të jetë ekonomike. Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e regjionit dhe të keni përkrahje më të madhe.