Teknologjia e re ushtarake izraelite u jep mundësinë forcave speciale të zbulojnë objekte dhe njerëz edhe pas mureve duke përdorur një algoritëm gjurmimi të bazuar në inteligjencën artificiale.
Xaver-1000, i prodhuar nga kompania izraelite Camero-Tech, u prezantua për herë të parë në ekspozitën Eurosatury 2022 në Paris. Është pjesë e familjes së produkteve “See Through Walls” që, sipas kompanisë në fjalë, ofrojnë informacion në kohë reale për objektet dhe njerëzit e fshehur pas mureve.
Camero-Tech pretendon se Xaver-1000 i ri është një “sistem esencial” për ushtrinë, policinë, njësitë e inteligjencës dhe ekipet e kërkimit-shpëtimit.
Kompania thotë se është një mjet i ri për operacionet taktike, sepse mund të zbulojë praninë e jetës në dhoma, numrin e njerëzve dhe distancën e tyre nga sistemi, lartësinë dhe orientimin e objektivit dhe paraqitjen e përgjithshme të hapësirës.
Xaver-1000 mund të shfaqë objekte të gjalla, pas mureve, me rezolucion kaq të lartë sa mund të dallojë nëse një person është ulur, në këmbë apo shtrirë, edhe nëse ka qenë i palëvizur për një kohë të gjatë. Disa pjesë të trupit gjithashtu mund të zbulohen.
Përdorimi i kësaj pajisjeje, nga ana tjetër, është i thjeshtë dhe kërkon trajnim minimal, shkruan portali Shephard Media dhe vetëm një person nevojitet për ta përdorur ndërfaqen e thjeshtë në ekranin e integruar me prekje 10.1 inç.
Mund të depërtojë në materialet më të zakonshme të ndërtimit, shton tutje Camero-Tech./Business Insider