Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar sot në Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se amendamentet e këtij ligji janë në kundërshtim me frymën kushtetuese.
Pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese të këtij ligji, Zemaj shtoi se në emër të deputetëve nënshkrues kanë proceduar një kërkesë për ligjshmërinë e ligjit për Këshillin Prokurorial.
“Nuk pajtohemi me mënyrën se si është ardhur dhe se si është proceduar. Amendamentet mendojmë që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe frymën e saj. Dhe besojmë që interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme për demokracinë dhe për frymën e gjyqësorit, për të cilin pretendohet që të gjithë në një zë duhet të sigurojmë në mënyrë të barabartë dhe demokratike, pa ndërhyrje dhe pa kapje institucionale të këtij institucioni kushtetues shumë të rëndësishëm”, ka deklaruar Zemaj.
Gjatë ditës edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Kushtetuese për interpretim Ligjin për KPK-në të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.