Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me ftesë të Internacionales Liberale (Liberal International), po merr pjesë në punimet e Kongresit të 75-të të kësaj federate globale të partive politike, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Krasniqi, ka thënë se në ditën e hapjes zyrtare të Kongresit, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Internacionales Liberale, Hakima El Haite.
“Presidenten El Haite e njoftova me zhvillimet dhe reformat që po i realizojmë në PDK, procesin e anëtarësimit tonë në LIBSEEN dhe ALDE dhe qëllimin që në të ardhmen të bëhemi pjesë edhe të Internacionales Liberale”, ka shkruar Krasniqi, në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Me ftesë të Internacionales Liberale (Liberal International), po marr pjesë në punimet e Kongresit të 75-të të kësaj federate globale të partive politike, që po mbahet në Sofie të Bullgarisë.
Sot, në ditën e hapjes zyrtare të Kongresit, kisha kënaqësinë që të zhvilloj një takim edhe me Presidenten e Internacionales Liberale, Hakima El Haite.
Presidenten El Haite e njoftova me zhvillimet dhe reformat që po i realizojmë në PDK, procesin e anëtarësimit tonë në LIBSEEN dhe ALDE dhe qëllimin që në të ardhmen të bëhemi pjesë edhe të Internacionales Liberale.
Bashkë folëm edhe për situatën politike në Kosovë dhe ambiciet e shtetit tonë drejt integrimit Euro-Atlantik.
Presidenten El Haite e falënderova për mbështetjen e saj ndaj reformave në PDK dhe për qëllimet tona të përbashkëta për fuqizimin e vlerave liberale e demokratike në kontinentin tonë.
Jam shumë i lumtur që në rrugëtimin tonë përpara po krijojmë vazhdimisht miq dhe mbështetës të rëndësishëm!