Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nuk i di gjërat, pasi u pyet për ta komentuar deklaratën e këtij të fundit i cili tha se MI udhëhiqej nga Pal Lekaj edhe kur Abdixhiku ishte ministër.
Ai përmendi shkarkimet e sekretarëve të përgjithshëm, ndërsa kujtoi se kryeministri Albin Kurti i kishte thurur lavde ministrisë së udhëhequr prej tij në 100 ditëshin e Qeverisë LVV-LDK.
“Janë të pavërteta sepse nuk i njeh Hyseni këto çështje. S’ka qenë aty kur i kam marrë atëherë vendimet bashkë me partnerët e koalicionit për t’i shkarkuar të gjithë sekretarët e përgjithshëm të përfshirë në këtë proces. Nuk i di gjërat ai”, tha Adixhiku në ATV.
“Meqenëse nuk i di këto gjëra, edhe nuk meriton përgjigje”, theksoi ai.
Kryetari i LDK-së foli pak edhe për zëvendësministrin tjetër, atë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili tha se shpejtësia e punëve që kryhen në këtë dikaster “mund të krahasohet me shpërndarjen e vajit në tepsi”.
Abdixhiku tha se është paradoksale se si MD-ja merr merita për arrestime, ndërkohë që ato i urdhëron prokuroria dhe gjykata.
“Unë jam i bindur që ata që flasin për vaj në tepsi nuk e kanë idenë se si funksionon sistemi i drejtësisë. Jam i bindur për këtë”, tha Abdixhiku.