Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sot është marrë një vendim historik me ftesën ndaj Finlandës dhe Suedisë për t’u bërë anëtare të NATO-s.
Marrëveshja e arritur mbrëmë nga Turqia, Finlanda dhe Suedia i hapi rrugën këtij vendimi. Për këtë, Stoltenberg i ka falënderuar këto tri shtete, shkruan Gazeta Express.
“Do të doja të falënderoja Turqinë, Finlandën dhe Suedinë që pranuan ftesën time për t’u angazhuar në negociata për të gjetur një rrugë të bashkuar përpara. Kjo ka qenë punë e vështirë për shumë javë, me kontakte të shumta në nivele të ndryshme. Zyrtarët e lartë kanë rreth dy raunde bisedimesh në Bruksel, nën kujdesin tim dhe mbrëmë mundëm të arrijmë te marrëveshjet përfundimtare. Kjo është një marrëveshje e mirë për Turqinë. Është një marrëveshje e mirë për Finlandën dhe Suedinë. Dhe kjo është një marrëveshje e mirë për NATO-n”, tha Stoltenberg.
Për këtë vendim ka shkruar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili po ashtu ka thënë se mbledhja e sotme e NATO-s në Madrid prodhoi një vendim historik.
“Udhëheqësit e NATO-s morën sot një vendim historik që do të forcojë sigurinë e Europës, me ftesën e Suedisë dhe Finlandës për t’u bërë anëtarë të Aleancës”, ka shkruar Borrell.