Dy shtete të BE-së, Suedia dhe Finlanda, sipas raportimeve mediale, kanë pranuar që të ekstradojnë në Turqi 33 të dyshuar për terrorizëm, gjysma e të cilëve janë anëtarë të FETO-s, me kusht që Turqia të heq veton për anëtarësimin e dy vendeve në NATO. Megjithatë, vetë BE-ja kishte reaguar shumë ashpër kur Kosova kishte deportuar 6 turq në Turqi për shkak të disa parregullsive me lejeqëndrimet e tyre, veç pse në Turqi ata konsideroheshin si anëtarë të FETO-s.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, ka thënë se Ankaraja do t’ua kujtojë vendeve nordike ekstradimin e 33 të dyshuarve pas nënshkrimit të memorandumit.
“Dosjet e gjashtë anëtarëve të PKK-së dhe gjashtë anëtarëve të FETO-s janë në pritje në Finlandë, ndërsa dosjet e 11 anëtarëve të PKK-së dhe 10 anëtarëve të FETO-s në Suedi”, u tha Bozdag gazetarëve në Ankara, përcjell Demokracia.com.
Në një marrëveshje trepalëshe me Suedinë dhe Finlandën, Turqia kërkoi nga dy vendet të ekstradojnë individët e kërkuar dhe të heqin kufizimet në shitjet e armëve të vendosura pas pushtimit ushtarak të Turqisë në Sirinë verilindore në vitin 2019.
Turqia ra dakord të martën të heqë kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke i dhënë fund një ngërçi që zgjati më shumë se një muaj.
Por, një kërkesë të ngjashme Turqia pandërprerë e ka pasur edhe për Kosovën, shkruan Demokracia.com.
Madje, një deportim i disa shtetasve turq që në Turqi cilësoheshin si gylenistë u ka kushtuar me shkarkim dy zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, të cilët tani janë edhe në një proces gjyqësor.
Në marsin e vitit 2018, shteti i Kosovës kishte arrestuar e më pas deportuar 6 qytetarë turq për në Turqi.
Ata dyshoheshin se ishin pjesë e rrjetit Hizmet, që udhëhiqej nga kleriku Fethullah Gylen, të cilin Turqia e njeh për organizatë terroriste.
E tri vite pas ngjarjes, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për Driton Gashin, ish-shefin e AKI-së atëkohë, Valon Krasniqin, drejtor në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmanin, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.
Ndaj aksionit policor për deportimin e 6 shtetasve turq kishin reaguar shumica e ambasadave të huaja në Kosovë, ndërsa tani Finlanda dhe Suedia, dy shtete të BE-së, sipas raportimeve mediale, kanë arritur edhe zyrtarisht marrëveshje për ekstradimin e 33 turqve të dyshuar për terrorizëm, shumica e të cilëve anëtarë të FETO-s.
Bashkimi Evropian kishte reaguar pas arrestimit të 6 shtetasve turq në Kosovë dhe me pas dëbimin e tyre në Turqi, duke e cilësuar arrestimin arbitrar dhe kundër të drejtave të njeriut.
“Arrestimi dhe dëbimi i mëpasshëm i gjashtë shtetasve turq, të cilët kishin leje qëndrimi në Kosovë, ngjall dyshime për respektimin e procesit të rregullt ligjor”, kishte deklaruar zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiç.
“Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Në linjë me vendosmërinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike, dhe gjithashtu siç përcakton Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të gjitha veprimet e institucioneve vendëse në Kosovë duhet të jenë në përputhje me sundimin e ligjit dhe respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, mbajtjen apo azilin bien ndesh me këto parime”, kishte theksuar Kocijançiç. /Demokracia.com/