Vlera monetare e të gjitha objekteve ku janë të vendosura institucionet e Kosovës nuk është më e lartë se 100 milionë euro. Vetëm objekti i kryeministrisë ka një vlerë prej 6 milionë 711 mijë e 300 euro.
Objektet ku qëndrojnë drejtuesit e shtetit, presidentja, kryeparlamentari, kryeministri, ministrat dhe plot figura të tjera të politikës, sigurisht që i ka parë gati çdo qytetar i Kosovës.
Mirëpo, shumica nga ata nuk e dinë sa është vlera e tregut e këtyre objekteve.
Demokracia.com ka publikuar një dokument të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ku tregohet vlera e secilit institucion qendror që ka Kosova.
Në këtë listë figurojnë gjithsej 82 objekte si më të rëndësishme të shtetit, por nuk janë të përfshira edhe objektet ku operojnë Komunat e Kosovës.
Kjo listë nis me objektin kryesor të Qeverisë së Kosovës, ku është e vendosur Zyra e Kryeministrit.
Siç tregohet, vlera e këtij objekti kap shumën prej 6 milionë 711 mijë e 300 euro.
Vlera e saj si ndërtesë dhe arkitekturë është mbi 5 milionë euro, mbi 1 milion është treguar se ka vlerë për sisteme, pajisje dhe elektromakineri. Kurse, si vlera të tjera, inventari dhe dokumentacion, është thënë se ka vlerën e 629 mijë eurove.
Një vlerë prej mbi 10 milionë eurove është thënë se ka objekti i Rilindjes, ku tash e sa vite janë të vendosura disa dikastere qeveritare.
Sipas këtij dokumenti, ky objekt si ndërtim dhe arkitekturë peshon mbi 8 milionë euro. Ndërsa, dokumente dhe inventarë ka në vlerë prej 678 mijë eurosh.
Një vlerë prej 2 milionë eurosh është thënë se kushton edhe Ministria e Punëve të Jashtme, Objekti Qendror. Ky institucion, vlerë për ndërtimtari dhe arkitekturë ka 1 milion e 560 mijë euro, ndërsa inventari dhe dokumentacion ka 73 mijë euro.
Për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës tregohet se ka vlerën e 860 mijë eurove në total, kurse ky objekt si ndërtim dhe arkitekturë peshon 695 mijë euro.
Ministria e Mbrojtjes ka vlerën e 3 milionë e 727 mijë e eurove. Si ndërtim dhe arkitekturë është thënë se ka vlerën e 3 milionë eurove, kurse dokumentacione dhe inventarë ka 151 mijë euro.
Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës është vlerësuar se ka peshën e 2 milionë e 476 mijë eurove. Ky objekt si ndërtim dhe arkitekturë kap shumën e 2 milionë e 100 mijë eurove. Pjesa tjetër është vlerësuar sa ka dokumentacione, inventarë dhe teknologji.
Ndërkaq, Ministria e Punëve te Brendshme, Objekti Qendror, është thënë se ka vlerën e 1 milion e 738 mijë eurove në total. Ky objekt si ndërtim dhe arkitekturë kap shumën e 1 milion e 450 mijë eurove.
Siç është treguar në këtë dokumentacion, vlera e 82 objekteve në listë arrin në 94 milionë e 517 mijë e 227 euro.
Këto objekte si ndërtimtari dhe arkitekturë është thënë se kanë vlerën e mbi 76 milionë eurove. Kurse, vlera e tyre për sisteme-pajisje-elektromakineri është thënë se kap shumën 12 milionë e 651 mijë euro. Ndërkaq, inventari dhe dokumentacioni në të gjitha institucionet e shtetit është vlerësuar më një shumë të parave prej 5 milionë e 843 mijë e 562 euro.