Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e qeverisë së tij, kanë vazhduar me qasjen e gabueshme ndaj sindikatave.
SBASHK-u, shton se, i pari i qeverisë i ka ikur vazhdimisht dialogut me sindikatat, shkruan lajmi.net.
“Duke u përballur me qasjen e tillë të Kurtit dhe Qeverisë që ka mbyllur hermetikisht dyert për dialog, SBASHK-u me keqardhje informon opinionin e gjerë se janë harxhuar të gjitha mjetet sindikale dhe nuk kemi as një fije shprese se Kryeministri do të ndryshoj qasjen dhe prandaj bazuar në Ligjin e grevave ne do të jemi të shtyrë t’ia plotësojmë dëshirën Kryeministrit dhe Qeverisë dhe shtatori, pa fajin tonë, shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, po me grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në Universitete. Këtë nuk po e deklarojmë sa për të thënë diçka, por është vendim i Këshillit Drejtues dhe organeve tjera të SBASHK-ut, nëse deri në shtator nuk plotësohen kërkesat tashmë të njohura”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në komunikatën e SBASHK-ut, shtohet se Kurtit dhe qeverisë së tij nuk i kanë bërë përshtypje as protestat e organizuara nga sindikatat.
“SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe. As këto nuk i bënë përshtypje Kurtit e as Qeverisë së tij”, thuhet mes tjerash në komunikatën e SBASHK-ut.
Përveç kësaj, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, javë më parë ka paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat e sindikatës së arsimit do të vazhdojnë edhe në shtator, kur fillon viti i ri shkollor.