Një tjetër tragjedi me emigrantë u raportua këtë të hënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here pranë qytetit të San Antonios.
Autoritetet lokale deklarojnë se gjetën 46 trupa të pajetë në një kamion, në një skenë të tmerrshme që kryebashkiaku Ron Nirenberg e cilësoi si tragjedi.
Autoritetet u njoftuan për një ngjarje të dyshimtë në orët e pasdites, kur një punëtor në një ndërtesë aty pranë dëgjoi një britmë për ndihmë. Punëtori gjeti një rimorkio me dyer pjesërisht të hapura dhe pa brenda një numër njerëzish të vdekur.
16 persona, 12 të rritur dhe 4 fëmijë janë dërguar në spitalet pranë dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve.\
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se emigrantët kanë humbur jetën nga i nxehti, pasi janë dehidratuar.
Në rimorkion e kamionit nuk u gjet asnjë shenjë uji dhe kondicioneri nuk punonte.