Numri i të shtruarve në spitalet publike është rritur për periudhën janar – prill të këtij viti.
Në këtë periudhë shtrimet e pacientëve janë rritur 17.5 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për katër mujorin e parë të këtij viti numri i pacientëve të shtruar në spitale ishte 86,392 pacientë, nga 73,556 pacientë që ishin vjet.
Sipas treguesve, numri i pacientëve të trajtuar në kardiologji është rritur me 42 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Ndërsa në raport me 2020, kur nisi pandemia, shtrimet nga të sëmurët me zemër janë rritur 76 për qind.
Në periudhën janar-prill 2020 shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga inflektimet e Covid-19. Sakaq mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje të interventeve kirurgjike në zemër, për shkak të problemeve post Covid-19 që duhet të trajtoheshin në kohë.
“Sëmundja e Covid-19 lë pasoja afatshkurtër dhe afatgjatë në disa sisteme e organe të cilat duhen trajtuar në kohë. Ndër pasojat post-Covid-19 janë problemet metabolike dhe ato kardiake, të cilat shpesh çojnë në probleme dramatike të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të tilla si bypass-e, e stente koronare”, pohoi më herët për Monitor mjeku Ilir Allkja.
Në këtë periudhë ka pasur edhe rritje 4 për qind të shtruarve në spitalet psikiatrike. Mjekja psikiatër në QSUT, Fatime Elezi tha për “Monitor” se shtrimet janë rritur nga përdorimi i lëndëve narkotike i të sëmurëve kronikë mendorë që lenë spitalet.
“Rritja e shtrimeve në spitalet psikiatrike nuk është e ndikuar nga Covid-19. Në spitalet psikiatrike gjithmonë shfaqet kjo tendencë, numri i pacientëve herë ulet dhe rritet. Kjo pasi disa pacientë kronikë të shtruar në psikiatri që përfundojnë mjekimin, rikthehen sërish për shtrime, pasi gjendja e tyre përkeqësohet nga përdorimi i substancave narkotike”.
Znj. Elezi thekson se frika dhe ankthi ishin simptomat kryesore që u shfaqen te të sëmurët me Covid-19 apo përjetimit kur infektoheshin familjarët e tyre. “Këto simptoma u trajtuan nga shërbimet ambulatore. Në psikiatri deri tani nuk kemi shtrime të pacientëve me probleme mendore për shkak të Covid-19”, nënvizon psikiatria Elezi.
Mjekët psikiatër të shërbimit parësor kanë pranuar se pas ngjarjes të tërmetit shtimi i pacientëve më shenja ankthi dhe paniku u rrit në vend. Më shfaqjen e pandemisë numri i pacientëve që vuanin nga ankthi është në rritje.
Shtohen depistimet për kancer
Ndryshe nga vitet 2020-2021, këtë 4-mujor janë rritur kontrollet e grave për kancerin e gjirit dhe të mitrës. Për këtë vit depistimet e kancerit të gjirit janë rritur 54 për qind dhe të kancerit të mitrës 31 për qind. Në 4 mujorin e parë të 2022 ka shtim 9 për qind edhe të pacientëve të trajtuar me radioterapi.
Mjekja Onkologe Silvana Çeliku theksoi më herët se për shkak të frikës nga infektimet me Covid-19 në 2020, por edhe vitin e kaluar shumë gra hezituan të kryenin depistimet për kancerin e gjirit dhe mitrës. Sipas saj pasojat do të ndihen në shëndet, pasi Covid-19 pengoi diagnostikimet e hershme dhe rrezikon shtimin e fataliteteve për të prekurit me lloje të ndryshme të tumoreve.
Vaksinimet e Covid-19 bien 85 për qind
Për muajt janar-prill 2022 vaksinimet janë ulur 85 për qind krahasuar me vjet. Për vaksinimin e popullatës në 4 mujorin e parë të 2021 u shpenzuan rreth 14 milionë dollarë sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë. Në total deri tani janë kryer 2,883,851 vaksinime. Në Shqipëri sipas të dhënave nga World Data janë vaksinuar 47 për qind e popullatës, ndërsa në rang global rezulton e vaksinuar 61% e popullatës. /Monitor/