Në kushtet e një inflacioni të tillë që po shënon rritje nga muaji në muaj, është ende herët të bëhet një parashikim përfundimtar për sa i përket normës së rritjes ekonomike për vitin 2022.
Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka.
Zeka ka thënë se gjithçka do të varet nga ardhja e diasporës dhe shtyrja përpara ose jo e investimeve kapitale.
Megjithatë, Zeka shtoi se në rast se ndodh ndonjë mrekulli e hyrjes në qarkullim të qindra miliona eurove brenda këtij viti, atëherë natyrisht mund të flitet për realizimin e parashikimit të qeverisë për normën e rritjes ekonomike për këtë vit.
“Në kushtet e një inflacioni të tillë që po shënon rritje nga muaji në muaj ndoshta është ende herët që të bëjmë një parashikim përfundimtar për sa i përket normës së rritjes ekonomike për bitin 2022. Besoj që gjithçka do të varet megjithatë nga ardhja e diasporës dhe kontributi i tyre përmes dërgesave të cilat do ti bëjnë gjatë këtij viti duke e ditur që konsumi është njëri prej aspekteve më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.
“Po ashtu do të varet edhe nga shtyrja përpara ose jo e investimeve kapitale nga ana e shtetit të cilat për momentin duket që mbesin të pezulluara ose nuk implementohen fare. Dhe kjo natyrisht që ka ndikim në rrjedhën e parasë së gatshme tek bizneset e sektorit privat dhe edhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Në një skenar më pesimist besoj edhe nga ardhja e diasporës edhe të nxitjes së qarkullimit të parasë së gatshme në tregun e brendshëm besoj që do të realizohen parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare siç është FMN dhe Banka Botërore. Në rast se ndodh ndonjë mrekulli e futjes në qarkullim të qindra miliona eurove brenda këtij viti atëherë natyrisht mund të flasim edhe për realizimin e parashikimit të qeverisë për normën e rritjes ekonomike për këtë vit”, tha Zeka.