Një aksion policor i zhvilluar rreth shkollave në Ferizaj ka rezultuar me sekuestrimin e disa armëve të zjarrit, thikave e mjeteve të tjera të dhunës.
Lidhur me këtë është deklaruar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se këtë çështje janë duke e trajtuar me prioritet.
Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se ka nevojë urgjente për reflektim sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve në shkolla.
“Falënderoj Policinë e Kosovës për aksionin e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë”, ka shkruar Nagavci.
Postimi i plotë:
Siguria e fëmijëve tanë, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë brenda shkollës dhe rreth saj, është çështje që kërkon vëmendjen e secilit.
Falenderoj Policinë e Kosovës për aksionon e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë.
Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale.
Megjithatë, roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë. Por, menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve.
Ne jemi duke punuar të bëjmë ndryshime strukturore në sistemi edukativ dhe arsimor, po fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Jam e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta. Jam e bindur se një raport më i afërt i institucioneve me familjet, do të ndikoi në përmirësimin e kësaj gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë.
Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!