Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë në heqjen e akcizës dhe TVSH-së për derivatet e naftës.
Mbi 400 milionë euro në vit janë të hyrat në buxhetin e shtetit nga akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar për derivate. Por, opozita po i kërkon Qeverisë që të heqë dorë nga një pjesë e këtyre të hyrave.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online, se kanë kërkuar që akciza nga 6 centë të bëhet në dy centë.
“Kemi kërkuar heqjen e akcizës dhe TVSH-së (për naftën). Qeveria nuk i ka marrë parasysh kërkesat tona si LDK. Normal që duhet të hiqet akciza sepse qytetarët paguajnë 6 centë më shumë dhe ne kemi kërkuar mu pagu vetëm 2 cent, do të thotë të përgjysmohet akciza për naftën”, tha ajo.
Edhe dy partitë tjera opozitare, PDK dhe AAK kanë kërkuar reduktimin, përkatësisht heqjen e akcizës dhe TVSH-së për derivate dhe produkte tjera të domosdoshme.