Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka komentuar ndërprerjen e sotme plenare ku pritej votimi i projektligjit për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të qytetarëve nga Trusti.
Ai në ATV e ka quajtur të gabuar idenë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi me këtë do të dëmtohej edhe skema e mjeteve pensionale.
“Me këtë shkatërrohet Trusti. Heqja e qindra miliona eurove të Trustit do të dëmtojë skemën, por edhe besueshmërinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai duke shtuar se shpërndarja e mjeteve të Trustit do të ishte me efekt shumë të vogël për qytetarët.
I pyetur se a do të ketë pasoja politike për Lëvizjen Vetëvendosje nëse nuk kalon projektligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, Konjufca tha se mendon se nuk do të duhej të ndëshkoheshin deputetët.
Konjufca ka treguar se ai personalisht nuk kishte tërhequr herën e kaluar 10 për qind të mjeteve të Trustit gjatë krizës me pandeminë koronavirus.