Presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për mediumin holandez NRC ka konfirmuar për pjesëmarrjen e saj në Samitin e BE-së në Bruksel.
E para e vendit ka thënë se në samitin e së enjtes, niset me shpresë, por pa pritje të mëdha.
“Unë shkoj gjithmonë atje me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, ka thënë Osmani për mediumin holandez.
Presidentja ka thënë se mungesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është padrejtësi e madhe.
“Qytetarët nga Ukraina, Gjeorgjia, vende të ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirisht. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për të marrë pjesë në samitin në Bruksel”, thotë Osmani.
“Është një padrejtësi e madhe: diskriminim ndaj popullatës sonë. Ne jetojmë në një geto”, ka theksuar ajo.
“Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani.