Në takimin e sotëm të zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut teknik në mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar marrëveshja për zbatimin e energjisë elektrike.
Pas arritjes së kësaj marrëveshje është deklaruar edhe kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, i cili tha se në takimin e sotëm në Bruksel janë pajtuar për shumë çështje me palën kosovare.
Ai theksoi se pas kësaj marrëveshje është hapur rruga për bisedime për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Duke pasur parasysh se Prishtina refuzoi të diskutonte për energjinë dhe pjesë të rëndësishme të marrëveshjes për vite me radhë, jo vetëm që e detyruam Prishtinën të bisedonte, por u pajtuam edhe për shumë çështje të rëndësishme për jetën e popullit tonë në veri të Kosovës”, tha Petkoviq.
Sipas Petkoviq, kompania Elektroserver do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime.
“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme, Elektrosever-it iu dha mundësia që të ofrojë shërbime të distribucionit, është e rëndësishme dhe gjatë gjithë këtyre takimeve në Bruksel, Prishtina ka refuzuar ta ofrojë”, deklaroi Petkoviq.
“Ne nuk e kemi dorëzuar Valaçin, kjo është e përjashtuar nga marrëveshja, as që kemi prekur çështjen e pronës. Është shumë e rëndësishme që njerëzit tanë ta dinë këtë. Kjo do të diskutohet vetëm në kuadër të dialogut”, përfundoi ai.