Në krizën e shumëfishtë ekonomike, që shtresohet mes efekteve të pandemisë, luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të energjisë në bursat ndërkombëtare – dhe si pasojë rritjes shqetësuese të inflacionit, nevoja për investime të jashtme në Kosovë bëhet edhe më e madhe.
Konglomerati ndërkombëtar Yildirim, është një prej investitorëve të mëdhenj që ka mësyrë Kosovën së fundmi përmes blerjes së gjigantit metalurgjik Ferronikeli, që është i vendosur në Drenas. Më 7 qershor, Ferronikeli dha njoftimin zyrtar se Yildirim do të t’i blejë të gjitha aksionet e kompanisë, që deri në atë ditë zotëroheshin nga grupi investiv BALFIN në Shqipëri.
Në njoftimin për media të kompanisë, u tha se kompanitë Yildirim dhe Balfin kishin ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për një tranzicion të qetë të pronësisë.
“Grupi YILDIRIM, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të Ferronikelit në Evropë. Të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin nga Grupi BALFIN. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë për një tranzicion të qetë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ferronikeli, një aset i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës
Ferronikeli është një prej eksportuesve, prodhuesve dhe punëdhënësve më të rëndësishëm për shtetin. Ndër vite ka përfaqësuar pjesën më të madhe të eksporteve të Kosovës, duke arritur 30% të eksporteve të gjithmbarshme të vendit. Duke punësuar rreth 900 punëtorë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe rreth 1,000 të tjerë në mënyrë indirekte, kompania është investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë.
Ferronikeli është paguesi i dytë më i madh i rentës minerare pas KEK-ut dhe një prej aseteve kryesore të ekonomisë së Kosovës. Ferronikeli, si një prej kompanive më të suksesshme në metalurgjinë e rëndë, paraqet mundësinë e vetme për të aftësuar dhe punësuar kuadrot e drejtimeve të ndryshme të inxhinierisë në universitetet vendore, me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë Universitetin e Prishtinës (UP).
Në ekonominë e Kosovës, Ferronikeli ka një rol të rëndësishëm, në kuptimin e vlerës së shtuar dhe ndikimit në Bruto Prodhimin Vendor (GDP). I gjithë prodhimi i ndërmarrjes eksportohet drejt Evropës dhe Azisë. Ferronikeli është taksapagues i rëndësishëm për shtetin. Vetëm në vitin 2020, ndërmarrja ka paguar afër 4 milionë euro taksa indirekte për buxhetin e Kosovës. Veças kësaj, Ferronikeli është po ashtu është i rëndësishëm edhe për ndërmarrje të tjera të sektorit privat, për kompaninë lokale të prodhimit të linjitit “Kosova Thëngjilli”, si dhe jetik për kompaninë publike të hekurudhave në Kosovë “Trainkos”.
Si do të ndikojë Yildirim në ekonominë e Kosovës?
Me hyrjen e ekonomisë globale në krizë, tregjet e metaleve janë bërë të luhatshme. Pasojat e krizës, sikurse çdo fabrikë tjetër e metalurgjisë së rëndë në botë, i ka vuajtur edhe Ferronikeli në Kosovë, duke u detyruar që të ndërpres prodhimin për gjysmë viti, pasi që kostoja e çmimeve elektrike në bursë u bë e papërballueshme për kompaninë. Konglomerati turk Yildirim, me ekspertizë të gjatë në industrinë e rëndë, vjen me synimin që Ferronikelin të bëjë histori suksese, me ambicien që fabrikën në Drenas të ngris në nivelin e fabrikave evropiane të metalurgjisë së rëndë.
Ndonëse pronarët e rinj nuk kanë shpalosur shumë detaje për planet, mundësitë janë që përmes investimeve, në fabrikë të nis angazhimin për aktivizimin e linjës së dytë të prodhimit. Lëshimi në punë i linjës së dytë të prodhimit, do të rezultonte me rritjen e numrit të punëtorëve. Kjo do të thoshte qindra e ndoshta mijëra vende pune tjerë mbi numrin aktual të të punësuarve në kompani.
Përveç punësimit, rritja e kapaciteteve prodhuese do t’i kontribuonte gjithashtu edhe prodhimit vendor dhe eksporteve, aq shumë të nevojshme për ekonominë e Kosovës, e cila vuan nga raporti i zhdrejtë mes importeve dhe eksporteve.
Ekspertiza e Yildirim, një garanci për sukses
Siç është bërë e ditur dhe përmes njoftimit, kompania Yilmaden që vepron nën ombrellën e Grupit Yildirim, tashmë zotëron edhe fabrika të prodhimit të Koksit Metalurgjik me Fosfor të Ulët në Kolumbi si dhe një fabrikë metalurgjike të Ferrovanadiumit dhe Ferromolibdenit në SHBA. YILMADEN Holding punëson mbi 7,500 punonjës në tetë vende: Turqi, Kosovë, Suedi, Kazakistan, Rusi, Shqipëri, Kolumbi dhe SHBA. Kompania eksporton produktet e saj në më shumë se 100 vende të botës, përmes më shumë se 20 qendrave të shpërndarjes, të vendosura gjithandej botës.
Ekspertiza e gjatë e grupit turk në fushën e metalurgjisë, pritet t’i sjell stabilitetin e nevojshëm kompanisë Ferronikeli, për të cilën parashihen investime të shumanshme që të veprojë e pacenuar në tregun jo edhe aq stabil botëror të Nikelit dhe energjisë elektrike, që për fabrikën është kostoja më e lartë e prodhimit. Grupi Yildirim, përmes nënkompanisë Yildamen, e themeluar në vitin 2014, ka krijuar një bagazh të vlefshëm në sektorin e metaleve dhe minierave, që mund t’i hyj në punë Ferronikelit për një epokë të re zhvillimi.