Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 78-vjetori i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Ditën e sotme deputetët e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim” dhe Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, kanë organizuar një aktivitete në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Mos harro Çamërinë”.
Fjalën e parë në parlament e ka mbajtur kreu i fondacionit “Hasan Tasini”, Alket Veliu, i cili ftoi edhe të ftuarit në sallë të mbanin fjalën e tyre në nisje të Javës Çame, ku do të kulmoi më 27 qershor, në varrezat monumentale në Kllogjer, Sarandë, në nderim dhe kujtim të jetëve të humbura nga Gjenocidi Grek mbi popullsinë e pafajshme të Çamërisë, 77 vjet më parë.
Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi tha sot është rasti që njerëzit të shohin dhe kujtojnë përmasat.
Nga masakrat dhe gjenocidi grek masiv ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre për në Shqipëri, Turqi dhe vende të tjera.
Nga masakrat dhe shpërnguljet masive që filluan më 27 qershor të vitit 1944 u spastrua etnikisht një popullsi prej 35,000 banorësh, shqiptarë myslimanë.
Nga kjo fushatë spastrimi u vranë rreth 3,000 persona, të moshuar, fëmijë gra, popullsi civile dhe mbi 2,000 të tjerë vdiqën nga kushtet e vështira të jetesës dhe shpërnguljet, ndërsa u dogjën edhe mijëra shtëpi.
Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në zona dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Sarandë, Konispol, Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnjë dhe Kavajë, duke vazhduar të ruajnë kulturat dhe traditat e tyre.
Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Për këtë ditë, disa ditë më parë Shoqata Çamëria dhe PDIU organizuan pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit, në Konispol, për 75-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, në vendin ku humbën jetën mijëra çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre. /Telegrafi/