Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga Analiza e Programit të Qeverisë Së Kosovës 2021-2025 si dhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim dhe për 4 vite të Qeverisë së fundit.
“Qeveria e Kosovës nga 544 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 207 apo 38 % nga to, ndërkaq 163 apo 30% kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 174 aktivitete apo (32%) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për vitin 2024″, thuhet në njoftim.
Kastrati listoi dhe ministritë të cilat nuk kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën janar-dhjetor 2024, e të cilat janë: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Pra, ka aktivitete në Planin Kombëtar Zhvillimor realizimi i të cilave është paraparë të bëhet përgjatë disa viteve. Por, FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara që fillojnë në janar dhe përfundojnë në dhjetor 2024”, thuhet në njoftim.
Ajo gjithashtu prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 janë:
Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë 62 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 35 dhe 27 kanë mbetur pa u realizuar.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 29 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024. Prej tyre kanë realizuar 19 ndërkaq 10 janë të parealizuara.
Ministria e Drejtësisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 79 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024. Vetëm 44 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 35 janë të pa përfunduara.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 20 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024, prej të cilave ka realizuar 9 dhe 11 janë të parealizuara.
Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 30 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024, 14 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 16 janë të parealizuara.
Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 71 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2024. Vetëm 41 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 30 janë të parealizuara.
Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 6 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 4 të parealizuara.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 4 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 1 ka realizuar dhe 3 kanë mbetur parealizuar.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 45 aktivitete ka realizuar 30 dhe 15 kanë mbetur pa u realizuar.
Ministria e Shëndetësisë – ka paraparë të realizojë 21 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 10 janë realizuar dhe 11 të parealizuara.
Ministria për Komunitete dhe Kthim – ka paraparë të realizojë vetëm 3 aktivitete gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 1 e pa parealizuar.
Ndërkaq, tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL dhe nuk dihet nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 57 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2024.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 66 aktivitete.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – ka planifikuar të realizoje 51 aktivitete për vitin 2024 , nga e cila s’kemi pranuar përgjigje se sa nga to janë realizuar.
“Ajo çka vlen të theksohet është se dy nga këto ministri ajo e Financave dhe e Mjedisit nuk janë përgjigjur as në gjashtë mujorin e parë kur FOL ka dërguar kërkesë. FOL kishte paraqitur ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe pas ndërmarrjes së hapave nga AIP kemi pranuar përgjigje. Mirëpo të njëjtat kanë hezituar të përgjigjen dhe tani, FOL ka dërguar përsëri ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për mos qasje në këto të dhëna sa i përket realizimit të Planit Kombëtar për Zhvillim për vitin 2024”.
Sipas Kastratit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë brenda vitit për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024.
Në vitin 2021 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 56%, ndërsa në vitin 2022 Qeveria e Kosovës kishte realizuar 62%, në vitin 2023 kishte realizuar 36% dhe në vitin 2024 Plani Kombëtar për Zhvillim është realizuar vetëm 38% për periudhën janar-dhjetor.
Duke u bazuar në këto të dhëna po del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie sa i përket realizimit të Planit të punës i quajtur tani Plani Kombëtar për Zhvillim dhe realizimi më i madh i tij po del në vitin 2022 me 62%.