Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, të premten vjen me një koncert të veçantë.
Ylli italian i flautit Andrea Griminelli do të vijë në Prishtinë për një mbrëmje të paharrueshme. Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Mozartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa.
Në këtë mbrëmje, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë Simfoninë e 8-të të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku, transmeton Klankosova.tv.
Me këtë koncert, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.
Kjo ngjarje kulturore do të mbahet me 31 janar në ora 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë, Prishtinë.