Përkundër paralajmërimeve të shumta që ishin bërë nga disa ekspertë të ekonomisë, të cilët kishin parashikuar një largim masiv të punëtorëve nga Kosova pas heqjes së vizave, një fenomen i tillë nuk ka ndodhur.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva në një intervistë për Telegrafin, tha se një vit pas heqjes së vizave nuk ka pasur migrim të madh të punëtorëve.
“Vetë fakti që popullata është më e lirë, do të thotë shumica absolute vendosin më e lirshëm se ku të orientohen edhe ku gjejnë kushte më të mira, është normale që ata të shkojnë. Kjo e ka mundësu, për shembull, që madje edhe nga koha sezonale që punojnë, të veprojnë edhe jashtë Kosovës por siç po shihet, nuk është ajo pritshmëria e vlugut të madh të largimit”, është shprehur ai.
Sogojeva tha se nga largimet që kanë ndodhur, ka pasur shqetësime në sektorin e hotelerisë dhe turizmit se a mund të gjinden kamerierë dhe kuzhinierë të mirë.
“Normal çdo herë është ajo alternativa, gjendet alternativa, por megjithatë ka shqetësime, sepse ka pasë, për shembull, kuzhinierët e mirë i ka pas, kamerierët e mirë i ka pas edhe në momentin kur dikush largohet prej aty është nuk është lehtë me zevendësu atë, do të thotë edhe nëse e zëvendëson, ti ndoshta s’mundesh me e zëvendësu atë që ka qenë i mirë. Kështu që është vërejtur shqetësimi, po megjithatë janë gjetur edhe nuk kemi asnjë ankesë të mëdha. Do të thotë në bazë të terrenit nuk kemi asnjë ankesë të mëdha, të cilat kishin me dhanë një shqetësim më të madh për menaxherët ose për kompanitë pronarët e kompanive”, tha mes tjerash ai.