26 vjeçari, M.Ç., nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit, Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.
Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por, nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë.
Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë tre persona: B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje); V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë dhe E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.
Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, B.A.
Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me M.Ç., kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.
38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij V.M dhe E.M shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar. /TCH/