Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mbështetësit e partisë për pjesëmarrjen e tyre aktive në turin paraelektoral.
Abdixhiku e cilësoi këtë periudhë si “madhështore”, duke shtuar se ajo krijoi një momentum të ri për LDK-në dhe për Kosovën, si një hap i rëndësishëm drejt fitores së madhe që do të realizohet në zgjedhjet e ardhshme.
“Turneu paraelektoral i ndryshimit, përfundoj; për t’i hapur vend tani fushatës elektorale që do të nisë më 11 janar të vitit 2025. Ishte bukur, ishte zjarrtë, ishte thjeshtë madhështore – si asnjëherë më parë. LDK dhe mbështetësit tanë krijuan momentum të ri, si prelud i fitores të madhe për Republikën”, ka shkruar Abdixhiku.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu mirënjohjen për qytetarët, të cilët sipas tij, dhanë “jetë” lëvizjes për ndryshim dhe e mbushën partinë me shpresë për një të ardhme më të ndritshme.
Abdixhiku theksoi se ringritja e LDK-së është e pashmangshme dhe se e ardhmja është e ndritur, duke e përshkruar si një refuzim të ndarjes, përçarjes dhe urrejtjes që përhapet në shoqëri.
“Ju i dhatë jetë lëvizjes sonë për ndryshim, ju i dhatë shpresë LDK-së dhe Kosovës për të ardhmen që na pret. Mbi të gjitha, ju na dhatë zërin që na mungonte kaherë. Ringritja jonë është e destinuar; e ardhmja jonë është thjeshtë e bukur! Ajo qëndron si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes e urrejtjes që na shtyhet gjithandej”, u shpreh Abdixhiku.
Ai gjithashtu bëri thirrje për angazhim të madh në fushatën elektorale që do të nisë më 11 janar 2025, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e festave dhe takimeve të mëdha që do të organizohen gjatë periudhës së ardhshme.
Abdixhiku përfundoi me mesazhin: “Ndryshimi po vjen, bëhu ndryshimi!” /Telegrafi/