Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në një konferencë për media tha se deputetja e VV-së dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli është treguar e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi, siç u shpreh ajo, përmes të cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar.
Musliu u shpreh se Pacolli, servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe siç tha, mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lartë në vend, Kuvendit të Kosovës.
“E kemi ftuar këtë konferencë për të shprehur edhe një herë shqetësimin tonë dhe për të ngritur edhe një herë fuqishëm zërin tonë kundër tendencave të qeveritarëve që përmes deputetëve të shumicës të shfuqizojnë mbikëqyrjen parlamentare, njërin nga instrumentet kryesore të demokracisë në vend. Përgjatë gjithë këtij mandati qeverisës ne e kemi ngritur vazhdimisht zërin për keqqeverisjen që u instalua nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“Bashkë me raportimet e mediave e kemi bërë të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të shohin qartë të vërtetën e keqqeverisjes dhe abuzimit me subvencione nga ana e ministrit Faton Peci. Në këtë kontekst me një angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerrë në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik”.
“Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale, deputetët e Vetëvendosjes e kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që e morën nga qytetarët e këtij vendi. Njëra nga këta deputetë të papërgjegjshëm dhe skajshmërisht të dëmshëm për funksionimin institucional, është kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli”.
“Ajo, servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lartë në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si anëtare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, dua të theksoj se Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi, përmes të cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar”, u shpreh Musliu.
Deputetja e PDK-së gjithashtu shtoi se përkundër kërkesave, gjatë vitit 2024, Fitore Pacolli nuk e ka ftuar në raportim ministrin Faton Peci, njofton Klankosova.tv.
“Ajo në vend të transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, zgjodhi të mbështes mendësinë grabitqare, korruptive, nepotiste dhe klienteliste të kësaj qeverie. Duhet të theksoj se Fitore Pacolli, si udhëheqëse e komisionit në fjalë, gjatë gjithë vitit 2024 asnjëherë nuk e ka ftuar në raportim ministrin Peci, përkundër faktit se ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e tjerë të komisioni”t.
“Njëjtë ka vepruar edhe me Ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, ministrat këta që janë në përgjegjësinë e komisionit që ajo drejton, për më tepër pothuajse të gjitha mbledhjet e komisionit janë thirrur pa i respektuar procedurat dhe rregulloren e kuvendit”.
“Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli është sinonim i përfaqësimit të papërgjegjshëm dhe sinonim se si abuzohet me besimin e qytetarëve, ajo si marionetë e pushtetit e ka neglizhuar e përvetësuar punën e Komisionit Parlamentar, sepse vetëm kështu ka menduar se do t’ia dalë të mbajë larg vëmendjes publike, abuzimet në ministri, që në realitet është e thirrur t’i mbikëqyr dhe t’u kërkojë llogari”, u shpreh ajo.
Musliu gjithashtu tha se PDK-ja kërkon nga organet kompetente t’i shqyrtojnë seriozisht dhe t’i hetojnë këto raste siç tha ajo, të nepotizmit, të konfliktit të interesit dhe të shkeljeve ligjore.
“As Fitore Pacolli, as ministrat abuzivë dhe as kryeministri që ka instaluar një mendësi shkatërruese, nuk mund të ndjehen komodë sepse të gjithë duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve për çdo veprim dhe për çdo shpërndarje të fondeve të dedikuara për t’i subvencionuar bujqit dhe fermerët e Kosovës, të cilët fitojnë me mund e djersë bukën e gojës”.
“Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli duhet të jap përgjegjësi nëse vendimi i saj për të mos ftuar në raportim ministrin Peci, ka të bëj drejtpërdrejtë me fshehjen e bashkëpunimit të tyre, në pazaret e përbashkëta, në kurriz të bujqve të Kosovës. Se si përfituan familjarët dhe të afërmit e Fitore Pacollit qindra mijëra euro, nuk do të mbetet vetëm akuzë verbale, prandaj Partia Demokratike Kosovës dhe unë si anëtare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim kërkojmë nga organet kompetente t’i shqyrtojnë seriozisht dhe t’i hetojnë këto raste të nepotizmit, të konfliktit të interesit dhe të shkeljeve ligjore”, tha tutje deputetja Musliu në konferencë për media./Klankosova.tv.