Emri i Vedat Muriqit flitet e përflitet në çdo afat kalimtar.
Sulmuesi kosovar është në qendër të vëmendjes edhe para afatit kalimtar të janarit.
Në fakt, prizrenasit ia ka vënë syrin ish-klubi i tij, Fenerbahçe, ku e kishte pasur një eksperiencë të jashtëzakonshme, shkruan “Gazeta Express”.
Klubi turk e kishte transferuar verën e kaluar yllin e Sevillas, Youssef El-Nesiri, i cili gjatë janarit mund të transferohet në Arabinë Saudite.
E pikërisht për këtë, gjiganti nga Stambolli është vënë në kërkim të një sulmuesi tjetër dhe “Pirati” i Mallorcës shihet si opsioni ideal.
Mediumi portugez “O Jogo” raporton se Feneri i ka bërë gati plot 10 milionë euro për ta bindur klubin ishullor spanjoll që t’ia shesë përfaqësuesin kosovar.
Trajneri Jose Mourinho do ta mirëpriste Muriqin në Stamboll.
Muriqi, i cili kishte luajtur në klubin verdh e kaltër në sezonin 2019/20, në këtë edicion i ka realizuar vetëm tre gola, por që mbetet lojtar mjaft i rëndësishëm për Mallorcën, të cilën e ka shpëtuar tri herë pa rënë nga liga.
Ish-futbollisti i Rizesporit dhe i Lazios nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Turqi pasi e do një gjë të tillë, por pa e specifikuar periudhën.
30 vjeçari i ka zhvilluar 14 ndeshje në La Liga në këtë edicion deri tash dhe krahas tre golave, i ka bërë edhe dy asistime. /Gazeta Express/