Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe që të garojë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Sipas KMDLNj-së, ligji shprehimisht e thotë arsyen e refuzimit të certifikimit e jo përcaktimi apo opinioni politik, teksa sipas tyre, Lista Serbe ka të drejtë që në afatin e paraparë ligjor ta kundërshtojë vendimin e KQZ-së duke ofruar fakte për rrëzimin e këtij vendimit.
“Pastaj, adresa e radhës është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme. KMDLNj mendon se procesi është politizuar panevojshëm dhe se lufta nuk po bëhet kundër LS por midis përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës brenda KQZ-së. Pozita po e fajëson opozitën pse nuk ka votuar si pozita për moscertifikim të LS-së ndërsa opozita ka kërkuar sqarim nga MPB për rastin në fjalë”.
“Është ngritur një tymnajë e panevojshme që moscertifikimin e LS-së e bëjnë çështje të ndonjë marrëveshjeje politike. Pati edhe reagime të faktorit ndërkombëtar që fuqishëm e kundërshtoi vendimin e KQZ – së”.
“KMDLNj kërkon nga KQZ të sqarojë për opinionin bazën ligjore për këtë vendim dhe nëse vendimi është mbështetur në ligj, KQZ duhet të këmbëngulë në refuzim të certifikimit. Në të kundërtën duhet të ndërmerren masa disiplinore dhe ligjore ndaj shpërdoruesve të pozitës pavarësisht postit që e kanë apo përkatësisë politike apo partiake”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, KMDLNj tha se zbatimi i standardeve të dyfishta dëmton rëndë demokracinë dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin, e po ashtu, thanë se KQZ-ja duhet ta ruajë pavarësinë duke mos iu nënshtruar asnjë ndikimi politik si dhe duke trajtuar të gjitha palët si të barabarta dhe të mos lejojë kurrfarë diskriminimi në baza etnike, fetare, partiake, politike apo statusit në shoqëri.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar edhe për refuzimin e dytë që kryeministri Albin Kurti po ia bën ftesës së Prokurorisë Speciale.
Sipas KMDLNj-së, Kurti ka kërkuar që prokurorët e Prokurorisë Speciale ta marrin dëshminë në Zyrën e Kryeministrit, por sipas tyre, me Ligjin Penal të Kosovës nuk parashihet kjo mundësi që është propozuar nga Kurti.
“Arsyetimi i KM, qeverisë dhe LV-së është se kjo ftesë është tendencioze dhe bëhet me qëllim të dëmtohet KM në zgjedhjet e radhës që për KMDLNj nuk ka asnjë kuptim, pse do ta dëmtonte intervistimi në Prokurori e nuk do ta dëmtonte në Zyrën e KM ?!, kur janë të njëjtit prokurorë dhe i njëjti rast penal”.
“Pas refuzimit eventuale të ftesës, Prokuroria mund të urdhërojë që KM Kurti të sillet me detyrim për të dëshmuar. KNDLNj mendon se KM Kurti, si kryetar qeverie duhet që të angazhohet për shtetin e së drejtës dhe sundim të ligjit prandaj, me shembull personal dhe konkret duhet ta dēshmojë këtë përcaktim”.
Si zgjidhje Solomoni, KMDLNj-ja ka propozuar që intervistimi i Kurtit të shtyhet deri në përfundim të zgjedhjeve, në mënyrë që sipas tyre, të eliminohet arsyetimi se Prokuroria Speciale po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Edhe ashtu është kohë e pushimeve, fillon fushata me kapacitet të plotë dhe nuk është e nevojshme që situata të tensionohet. Në fund të fundit, nuk është se jemi për tensionim të gjendjes kur edhe ashtu kemi shumë probleme. Zgjedhjet janë shumë afër, pse të ngutemi”, thuhet në reagim.