Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Në komunikatën për media thuhet se Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë.
Presidenca në një përmbledhje të asaj se çfarë ka deklaruar e para e shtetit, bën të ditur se Osmani gjatë qëndrimit atje në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, theksoi se e ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm.
“Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”, tha ajo.
Presidentja e shtetit më tej ka thënë se nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria.
“Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe. Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë”, citohet të ketë Osmani. /Telegrafi/