Ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e konsideron përpjekje për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Duke e përmendur rastin e rezervave shtetërore, ajo thotë se ftesa ka mundur të bëhet më herët.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për KosovaPress thotë se Prokuroria Speciale po zhvillon “një luftë speciale” kundër qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Rasti i rezervave shtetërore ka ndodhur gjegjësisht para më shumë se 1 viti, dhe ishte e çuditshme se si prokuroria në kohën kur kryeministri Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesia e LVV-së diskutonin për listën e kandidatëve për deputetë, njoftohem nga kryeministria që për të paska ardhur një ftesë në cilësinë e dëshmitarit në raport me këtë rast. Sigurisht që nuk ishte diçka e habitshme, por në fakt është një tregues i qartë i luftës speciale që kjo prokurori po e bënë kundrejt kryeministrit Kurti, dhe në përgjithësi qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ne e shohim si veprim të qëllimshëm pikërisht në këtë kohë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Dhe pikërisht qëllimi është të dëmtohet Lëvizja Vetëvendosje me këto ftesa nga ana e Prokurorisë Speciale, sepse një gjë e tillë, nëse është dashur të ndodh, atëherë ka mundur të ndodh shumë më herët, sepse ju e dini që ky rast ka nisur që më shumë se një vit, vitin e kaluar”, thotë Haxhiu.