Mungesa e besueshmërisë në institucionet publike shëndetësore shtyn në vazhdimësi qytetarët e Kosovës që t’i kërkojnë shërbimet e tyre mjekësore nëpër spitalet private apo në qendrat mjekësore në vendet e rajonit, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
9,440,000 euro janë vënë në dispozicion nga shteti në vitin 2021 për Programin për Trajtim Mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike në Kosovë, shkruan Demokracia.com.
Në një përgjigje për Demokracia.com, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka bërë të ditur se gjatë 5 muajve të parë të këtij viti për shërim jashtë vendit janë ndihmuar financiarisht 390 raste.
“Nga janari i viti 2022 e deri më tani, nga Fondi kanë marrë mbështetje financiare treqind e nëntëmbëdhjetë raste (390), prej të cilëve dyqind e tetëdhjete e tetë (288) janë raste urgjente, ndërsa njëqind e tridhjetë e shtatë (137), janë raste të rregullta”, thuhet në përgjigjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për Demokracia.com.
Nga ky fond kanë treguar se në vitin 2021, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, kanë pranuar 1122 aplikacione.
Fondi i Sigurimit Shëndetësore, gjatë vitit 2021, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), ka pranuar 1122 aplikacione, prej të cilave 451 kanë qenë të rregullta dhe 671 raste urgjente.
Gjatë vitit 2021, brenda vendit janë shpenzuar 434 mijë e 866 euro, ndërsa jashtë vendit janë shpenzuar gjithsej 9 milionë e 400 mijë e 993 euro.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nga janari i këtij viti e deri më tani ka pranuar 520 aplikacione.
“Fondi në kuadër të programit për TMJISHP, nga janari i vitit 2022 e deri me tani ka pranuar 520 aplikacione. Nga gjithsej 520 aplikime, dyqind e tetëdhjete e tetë (288) janë raste urgjente, ndërsa dyqind e tridhjetë e dy (232) janë raste të rregullta”, thuhet në përgjigjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për Demokracia.com.
Çdo qytetar dhe banor/shtetas i Republikës së Kosovës ka të drejtë të aplikojë në programin për TMJISHP
Në vitin 2017, ish-ministri Imet Rrahmani kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ NR.03/2017, që parashihet t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës që nuk kanë mundësi shërimi jashtë vendit.
Në nenin 4 të këtij Udhëzimi Administrativ thuhet se çdo qytetar dhe banor/shtetas i Republikës së Kosovës ka të drejtë të aplikojë në programin për TMJISHP kur shërbimi i caktuar shëndetësor nuk i ofrohet në institucionet publike shëndetësore, në pajtim me dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ.
Megjithatë, shqetësues është fakti se një numër i lartë i aplikimeve që kërkojnë shërim për sëmundje të rënda janë nën 18 vjeç.
“Gjatë vitit 2022, njëqind e tridhjetë e nëntë (139) janë të moshës 0-17, ndërsa treqind e tetëdhjetë e një (381), janë të moshës mbi 18 vjeç”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Demokracia.com.
Turqia vazhdon të jetë vendi ku dërgohen për shërim më së shumti qytetarët e Kosovës.
“Vendet në të cilat më së shumti marrin shërbim shëndetësor janë: Turqia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, si dhe vendet tjera evropiane”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.
Buxheti i ndarë në kategorinë subvencione “Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike” për vitin 2021 ishte 9,440,000€, i cili është shpenzuar në masën 99.6%, gjatë vitit 2021./Demokracia.com/