Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar fabrikën e vetme të përpunimit të vajit në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se “Fluidi Group” është shndërruar në një ndër brendet kryesore të prodhuesëve vendorë.
“Fluidi Group, e themeluar tri dekada më parë si biznes familjar, me produktet e saj cilësore është shndërruar në një ndër brendet kryesore të prodhuesve vendorë”.
“Gjatë vizitës në Gjilan, kisha kënaqësinë të vizitoj fabrikën e vetme të përpunimit të vajit në Kosovë, ‘Floil’, që falë cilësisë dhe teknologjisë së fundit, ka arritur të jetë lidere në rajon. Nga pronari i ri Berat Mustafa u njoftova se tanimë kjo kompani ka 140 punëtorë me tendencë rritjeje, ndërkaq përpos tregut vendor produktet e saj eksportohen edhe në Evropë dhe në Amerikë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se në thelb e kupton ndikimin që kanë prodhuesit vendorë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se mbetet i vendosur të jetë krah tyre.
“Nga takimet me biznese të ndryshme të vendit tonë, jam i inkurajuar me avancimin e dukshëm të kualitetit të prodhimit, duke tejkaluar tregjet vendore me eksportet e tyre në Evropë e kudo në botë”.
“Ne kemi dëshmuar se përveç që duam, edhe dimë ta mbështesim prodhuesin vendor sepse në thelb e kuptojmë ndikimin që kanë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e vendeve të punës. Mbetemi shumë të vendosur të jemi krah tyre”, është shprehur Haradinaj.