Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Forcës Sigurisë të Kosovës kanë gjetur trupin e pajetë të personit i cili rezultonte i zhdukur tash e disa ditë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, trupi i pajetë është gjetur në afërsi të lumit llap në fshatin Lupq i poshtëm i komunës së Podujevës.
“Pas marrjes së njoftimit nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për një person të zhdukur, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë të gjitha masat, duke angazhuar ekipet e Kërkim Shpëtimit malor, ujor dhe K9 të Gardës Kombëtare, të cilat kanë punuar në koordinim me Policinë e Kosovës, gjithashtu të angazhuar në këtë operacion kërkimi kanë qen një numër i madh i vullnetarëve. Pas kërkimeve intensive sot ekipet e Kërkim Shpëtimit ujorë të FSK-së, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur me inicialet N.O, në zonën në afërsi të lumit llap në fshatin Lupq i poshtëm i komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
FSK shton tutje se, pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë është dorëzuar Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme.