Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka pritur një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.
Në takim, kryeministri Kurti i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.
Po ashtu ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.
Më tej, gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.
Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet.Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.