Rregullimi i çmimit të barnave në Kosovë është një hap përpara drejt shërbimeve cilësore shëndetësore me theks në barazi. Si avokues kryesor për promovimin e sektorit privat dhe rritjes ekonomike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kupton rëndësinë kritike të një sistemi funksional shëndetësor në vend.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë gjithashtu vlerëson përpjekjet e Qeverisë në përcaktimin e parimeve të Çmimeve Referenciale Ndërkombëtare (IRP) dhe e mbështet këtë rregullore si një ndër mënyrat për të siguruar qëndrueshmëri dhe qasje të vazhdueshme në barna për pacientët kosovarë. IRP duhet të zbatohet në përpikmëri, por nuk duhet të mbetet i vetmi mekanizëm për përmirësimin e qasjes në barnave për pacientët. Duhet të merren në konsideratë edhe mekanizma të tjerë si negociatat e drejtpërdrejta me prodhuesit inovatorë dhe marrëveshjet e hyrjes së menaxhuar (MEA) si pjesë e procesit të rimbursimit.
Qasja në shërbime të përballueshme të kujdesit shëndetësor dhe me cilësi të lartë është thelbësore për zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi rrit produktivitetin, aftësitë e fuqisë punëtore dhe mirëqenien e përgjithshme të popullatës, prandaj rregullimi i çmimeve të barnave është një komponent kritik i sigurimit të qasjes së përballueshme dhe të barabartë në kujdesin shëndetësor në Kosovë. Vendosja e kontrolleve të çmimeve ndihmon në adresimin e çështjes së kostos së lartë të barnave, duke promovuar çmime fer dhe të përballueshme për barnat esenciale, për të siguruar që të gjithë individët të kenë qasje në barnat që u shpëtojnë jetën, pavarësisht nga niveli i të ardhurave të tyre.
Në këtë drejtim, Oda Amerikane mirëpret dhe ofron të gjithë mbështetjen tonë në miratimin dhe zbatimin e shpejtë të Ligjit për Çmimin e Barnave në Kuvendin e Kosovës. Oda Amerikane beson që rregullimi i çmimit të barnave luan një rol vendimtar në promovimin e qasjes në barna, stimulimin e inovacionit dhe promovimin e konkurrencës në tregun farmaceutik dhe rritjen e efikasitetit të përgjithshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor. Kjo bazë rregullative do të mundësojë që çmimet e barnave të jenë të arsyeshme, fer dhe transparente duke mbrojtur edhe interesat e kompanive farmaceutike, që përbëjnë një industri kyçe për ekonominë e Kosovës.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron rregullimin e çmimit të barnave si një ndërhyrje me ndikim për të promovuar qasjen në barna esenciale, për të përmirësuar rezultatet e kujdesit shëndetësor si dhe për të avancuar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.