Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se orientimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në Forumin e Prespës që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, kryediplomatja kosovare tha se nëse BE-ja dëshiron më shumë siguri, duhet të bëjë hapin për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor brenda, siç e quajti ajo, ombrellës së saj.
“Shumica prej nesh në Ballkanin Perëndimor ka treguar se orientimi jonë është pro-evropian, pro-NATO dhe pro-Perëndimor. Prandaj ky orientim duhet të jetë kryesor, të mbahet dhe lejohet që të rrjedhë deri te integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Siguria nuk është vetëm për armët, por gjithë aspektet që ballafaqohemi çdo ditë…Nëse BE-ja është e interesuar të kemi më shumë siguri, atëherë duhet që të bëjnë hapin, të kyçin Ballkanin Perëndimor në BE”, tha ajo.
Gërvalla tha se institucionet e Kosovës po bëjnë çmos që të afrohen në strukturat e NATO-s.
“Kosova po mundohet të afrohet në strukturën e NATO-s aq sa po mundet, marrë parasysh se katër shtete anëtare të NATO-s nuk na njohin. Nuk është gjë e lehtë, por ne duhet të luftojmë dhe jemi më afër njëri-tjetrit, pasi Kosova dhe NATO janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin. NATO është pjesë e historisë së Kosovës dhe është prezente në Kosovë”, shtoi ajo.
Në panelin e diskutimit për Ballkanin Perëndimor ishte edhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, derisa edhe shprehu përkrahjen për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”. /kp/