Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se prioritet i tij mbetet fuqizimi i shkencës, ndërsa premtoi edhe më shumë buxhet në vitet e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Gjatë diskutimit për draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, shefi i ekzekutivit tha se ky program gjeneron vende të reja të punës.
Në buxhetin e këtij viti, Kurti tha se ka ndarë më shumë se 1 milion euro.
“Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe Ministria e Arsimit janë në proces që synon ta modernizojë arsimin në vend. Zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për avancimin ekonomik e shoqëror të Kosovës”.
“Kërkimet shkencore ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik. Ky program synon gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në buxhetin e sivjet 1.25 milion euro”, tha Kurti.
E ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt miratimit të Planit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, raporton EO.
“Sot jemi bashkë me përfaqësues të Qeverisë e të organizatave të ndryshme që t’i hapim rrugë miratimit të draftit të Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028”, tha ajo.