Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se komiteti i Ministrave të shteteve anëtare me mbi dy tëtretat e votave i ka dhënë sot mbështetje aplikimit të Kosovës në KE.
“Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti.
Tutje Kurti ka deklaruar se Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës.
Kryeministri Kurti, ka falënderuar ministren, Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti për punën e tyre dhe partnerët e shtetëve anëtare për përkrahjen.
“Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, përfundoi ai.