Lidhja Demokratike e Kosovës nga kërkuar nga institucionet e drejtësisë që me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit në KEK. Një ditë pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, LDK ka deklaruar se drejtësia s’ka pse t’i frikësohet kryeministrit Albin Kurti.
Sipas anëtarit të kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, korrupsioni milionësh në tregtimin e energjisë elektrike ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit duhet zbardhet.
“Prokuroria dhe krejt organet përgjegjëse duhet me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit. Të gjitha këto dyshime për skandale e korrupsion milionësh ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit, duhet të zbardhen. Drejtësia s’ka pse i frikësohet Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Në një konferencë për media, Azemi ka thënë se zvarritja e remontit të bllokut A5 duket se ka pasur prapavijë që i është përshtatur mafisë energjetike.
Ai ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Zvarritjen e remontit të bllokut A5 të Kosova A, e duke importuar energji nga jashtë me çmime tepër të larta. Krejt kjo dukej si paaftësi e këtij pushteti, i cili s’ka bërë as edhe një hap për të investuar në kapacitete të reja prodhuese. Por, nga dje, duket se është kristal e qartë se këtu ka një prapavijë. Krejt këto veprime e mosveprime duket se janë të përshtatura për mafinë energjetike. Për bizneset multimilonëshe të Martin Berishajt, Albin Kurti, i cili në krye të shtetit erdhi me zotimin që t’iu shërbejë qytetarëve, duket se tashmë është shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt, e për të cilin po del se ka angazhuar edhe argatë si Nagip Krasniqi”, ka shtuar Azemi.
Ai ka deklaruar se Kosova është e zhytur në krizë energjetike në qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
“Ky arrestim vjen pas gati dy viteve të Nagip Krasniqit në krye të këtij institucioni. Janë dy vite të Kosovës të thelluar në krizë energjetike dhe dyshimeve të pareshtura për keqpërdorime dhe abuzime në sektorin e energjisë. Sipas raportimeve në medie ai sot po hetohet për tenderin në vlerë 3.4 milionë euro që iu dha një biznesi pas një negocimi për vetëm 6 ditë. Për më tepër njeriu i Kurtit, Nagip Krasniqi përflitet se kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb bashkë me Martin Berishaj në vitin 2022, së bashku me një tregtar të energjisë elektrike që ngrinte dyshime për marrëveshje të tregtimit të energjisë”, ka thënë ai.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën pas bastisjeve në zyrën e tij në KEK si dhe në banesat e tij.
Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tij si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.