Në varrezat e Pejës sot do t’i jepet lamtumira e fundit, H.B.H, e cila dyshohet se u vra nga djali i saj ditën e premte.
Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerës do të bëhet në ora 17:00.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, ku dyshohet se djali i saj ka vrarë nënën e tij. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndërsa i dyshuari tashmë është arrestuar.
“Rreth orës 16:00 policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia ka kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. I dyshuari është arrestuar”, kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Vrasja e 58 vjeçares ka nxitur reagime të shumta, ku shoqëria civile ka kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.