Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se zgjedhjet në veri janë shtyer një herë por sipas tij një gjë e tillë nuk do të bëhet më.
Ai deklaroi se kanë garancë nga bashkësia ndërkombëtare se nuk do të kërkohet shytrja e sërishme e zgjedhjeve në veri.
“Mendoj që Kosova nuk ka nevojë fare të lëvizë para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Pra, nuk mund që në të kushtëzohemi prej Beogradit prej Serbisë që ata të vendosin se kur do të ketë zgjedhje e kur jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar, një kompromis i mëhershëm ka ndodhur, zgjedhjet janë shtyrë njëherë ato janë shtyrë me kërkesë të Bashkësisë Ndërkombëtare ne e kemi marrë garancinë prej tyre që nuk do të shtyhen më shumë se njëherë”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve në veri e tha edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Çka do të thotë kjo? Nuk duhet të presim ne që Lista Serbe të na thotë a duhet të mbahen zgjedhjet apo jo, a do ta bojkotojë apo jo. Një prej arsyeve pse ata nuk janë për zgjidhjet është se brenda komunitetit që jeton atje, ata e kanë humbur mbështetjen.”
„Këtë e thonë edhe sondazhet e ndryshme. Unë po ju them sondazhe kredibile edhe të partnerëve tanë. Lista Srpska ka humbë përkrahjen. Po shihet edhe në realitet. Unë dje kam qenë atje, institucionet e sigurisë janë prezent më shumë se kurrë atje. Nuk kemi incidente me qytetarët kemi probleme me kriminelët”, tha Sveçla para Komisionit për integrime evropiane.