Misioni i KFOR-it e ka dënuar incidentin e ndodhur të hënën mbrëma në veri të vendit, ku një qytetar serb është plagosur me armë zjarri në komunën e Zveçanit.
Nga KFOR-i është thënë se presin që në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i mbajnë përgjegjësit para drejtësisë.
“KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në reagim.
Gjithashtu është theksuar se progresi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, transmeton lajmi.net.
“KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”, përfundon deklarimi.
Ndryshe në lidhje me plagosjen që ndodhi të hënën mbrëma në veri të vendit pati edhe reagime të shumta.
Në lidhje me këtë rast tashmë janë ndaluar katër zyrtarë policorë, njëri prej tyre nën dyshimin për të shtëna me armë.
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se dyshohet se serbi në këtë rast nuk ka ndaluar kur i është kërkuar dhe me këtë rast ka patur edhe të shtëna me armë zjarri.
Raste të shumta ka pasur në veri të vendit ku grupet kriminale kanë provokuar qytetarët por edhe zyrtarët policorë.
Aty nuk kanë munguar as sulmet me gurë e ato më armë zjarri.