Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, numri i incidenteve të regjistruara ditëve të fundit në veri, nga djegia e veturave e deri tek plagosja e një qytetari serb, po konsiderohen jenë të qëllimshme nga Serbia me qëllim që komuniteti serb të refuzojë daljen në zgjedhje.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se kjo tregon se pavarësisht masave të nevojshme që janë marrë nga Qeveria e Kosovës, nuk do të ketë zgjedhje të qeta.
Ibishi thotë se qëllimi përfundimtar i Serbisë është që të largohen forcat policore në veri.
Nga abstenimi i Listës Serbe për zgjedhjet e 23 prillit e deri tek paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, Ibishi thotë se nga këto mund të shihet një përshkallëzim i situatës, që sipas tij vjen me urdhër të presidentit serb.
“Së pari abstenimi i Listës Serbe dhe paralajmërimi, pas takimit të premtes së kaluar, i Vuçiqit me Listën Serbe dhe me personin e kërkuar nga drejtësia e Kosovës, Radojiçiq, i cili vazhdon të jetë pjesë e grupit të punës dhe paralajmërimi për një platformë të përbashkët, sikur paralajmëron Vuçiqi për veprime politike, ekonomike, deri edhe të sigurisë në rast të mbajtjes së zgjedhjeve tregon një përshkallëzim të situatës që ajo po vjen çdoherë me dirigjim, me urdhra të Vuçiqit dhe lidershipit të Serbisë nëpërmes ekstremistëve të vet”, tha Ibishi.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Ibishi vlerëson se duhet të ketë një zgjidhje politike, qoftë edhe shtyrje të afatit me qëllim që mos të vijë deri të një tensionim i ri i situatës.
“Nuk do të ketë zgjedhje të qeta në kuptim të tensionimit së situatës. Për këtë arsyeje Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura duke bërë edhe përgatitjen për vendvotime edhe sigurinë në të gjitha pikat, gjegjësisht në vendet ku duhet të gjithë qytetarët të kryejnë votimet me datën 23 prill ashtu si parashohin rregullat dhe duke respektuar gjithsesi një pjesëmarrje përkundër abstenimit të Listës Serbe. Megjithatë situata mendoj se do të tensionohet dhe duhet të ketë një zgjidhje politike me qëllim që mos të vjen deri të një tensionim i ri, ku pritet se në prag janë zgjedhjet apo vendimet e mëdha, pasi Lajçak vizitoi edhe Beogradin dhe Prishtinën dhe bisedoi me lidershipin, mendoj se në prag janë zgjedhjet e mëdha në krahasim me këto që mund eventualisht të bëhet një zgjedhje politike, eventualisht shtyrje, derisa të ketë një dakordim të palëve në kuptim të mbajtjes”, tha Ibishi.
Sa i përket incidenteve që po ndodhin në veri, Ibishi thotë se tashmë qëllimi i palës serbe është që të bëhet hegjemonizëm të masës të komunitetit serb që ata të refuzojnë daljen në votime.
“Qëllimi përfundimtar është që të bëhet hegjemonizëm i masës të komunitetit serb që ata të refuzojnë daljen në votime dhe çështja tjetër është më rendësi ata të imponojnë një favor të vetin. Qëllimi është t’i largojnë forcat policore nga veriu i Kosovës, të vendoset një mision i veçantë atje apo të vazhdojë KFOR-i të qëndrojë pa prezencë të Policisë së Kosovës, njësive speciale por edhe njësive kufitare me qëllimin që të krijohet një anarki, po ajo nuk do të ndodhë, pasi edhe policia ka kapacitete të mjaftueshme dhe do t’iu përgjigjet edhe në këtë fazë por edhe në fazën kur do të bëhet votimi me 23 prill”, tha mes tjerash Ibishi.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë e heshtur përballë një poltiike të tillë të Serbisë, ndërkohë që shtoi se incidentet e shtyra nga politika e Vuçiqit duhet t’i kuptojë edhe Bashkimi Evropian.
“Ndoshta do të ketë një bashkëbisedim në ecje, edhe pse ajo do të ndodhë ndoshta në momentin e fundit para zgjedhjeve eventuale, një shtyrje e mundshme, për arsyeje se zgjedhjet do të jenë të lira demokratike, po tensionohen në mënyrë artificiale nga pala serbe në këtë rast dhe kjo është e dukshme. Të gjitha këto duhet t’i kuptojë bashkësia ndërkombëtare, ne veç i kemi mësuar dhe këtë po e pasqyrojmë”, tha për fund Ibishi.
Kujtojmë se, ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe,
Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtynë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyratrëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre.